Bisedoi: Denisa Canameti
Arsen Roshi ka 10 vite në tregun e punës. Edhe pse nuk është një emër i njohur, është një nga stomatologët më të kërkuar në kryeqytet. Nuk i pëlqen publiciteti, sipas tij, reklama më e mirë është puna. Gjimnazin e ka kryer në Gramsh. Edhe pse është shkëputur prej shumë vitesh, Arseni rikthehet çdo vit në vendin e tij të lindjes për të kryer depistime falas. Stomatologu thotë se e bën këtë gjë për kënaqësi personale, duke mos e lidhur këtë profesion vetëm me pagën. E veçanta e kësaj pune? Ka të bëjë me estetikën, me buzëqeshjen. Njerëzit sot kujdesen më shumë për higjienën, vijnë shumë për estetikën. Vajzat janë më të kujdesshme, pa paragjykuar meshkujt. Në klinikën e Arsenit kanë ardhur edhe njerëz nga bota e artit në Shqipëri e deri në Hollywood. Randall Paul (një aktor i famshëm, i njohur për filmat e tij të shumtë) është pacienti special i Arsenit. Në një intervistë të shkurtër, por tejet interesante, stomatologu flet për vështirësitë e këtij profesioni, arsyet e zgjedhjes dhe shpjegon se pse, sipas perceptimit të tij, stomatologjia është “treg” i vajzave, edhe pse pacientët preferojnë më tepër stomatologët meshkuj.
Doktor, një prezantim të shkurtër të profilit tuaj. Kush është Arsen Roshi?
Arsen Roshi është bashkëshort dhe baba shumë i lumtur. Profesionist, stomatolog që ka 10 vite në tregun e punës. Pra, kam një karrierë relativisht të gjatë. Jam nga Gramshi. Në Gramsh kam jetuar deri në përfundim të gjimnazit. Më pas erdha në Tiranë, ku edhe vazhdoj të jetoj me familjen time. Ushtroj profesionin tim, në dy klinika dentare, sigurisht duke sakrifikuar kohën e personave të dashur.
Pse kjo zgjedhje për Stomatologjinë, zakonisht Mjekësia e Përgjithshme është ëndrra e çdo nxënësi të mirë?
Kisha dëgjuar që mjekësia është shumë e lidhur me korrupsionin. Ndërsa Stomatologjia, duke qenë biznes privat, perceptohej më ndryshe. Duke u nisur nga këto “zëra”, por sigurisht edhe nga një dëshirë e brendshme e imja, zgjodha Stomatologjinë.
Cilat janë vështirësitë e kësaj pune? A ka raste që ju bëjnë të djersini fort dhe të pendoheni që e keni zgjedhur këtë profesion?
Kam djersitur shumë, por nuk jam penduar kurrë që e kam zgjedhur. Marr shumë kënaqësi nga puna që bëj, edhe pse më merr shumë kohë. Punoj kaq intensivisht sa djalin shkoj dhe e gjej në gjumë. Megjithatë, edhe nëse do më jepej mundësia për të zgjedhur sërish, absolutisht do të bëja të njëjtën zgjedhje.
Sa e vështirë është të ushtrosh këtë specialitet në një shoqëri që kulturën e higjienës dhe kujdesit oral thuhet se e ka të ulët?
Vështirësitë janë të shumta pasi çdo pacient paraqet një sfidë më vete, por buzëqeshja, besimi dhe falënderimet pas një pune të bukur janë shpërblimi më i mirë. Kënaqësia që merr nga puna janë motiv për të ecur përpara. Është e vërtetë që ka pasur një kulturë të ulët të higjienës së gojës, por nuk është e vërtetë që kjo kulturë e ulët vazhdon të jetë njësoj edhe sot. Vëmë re, dhe për këtë besoj se jam në të njëjtën linjë mendimi me kolegët e mi, se qytetarët vijnë më shpesh te stomatologu. Jo vetëm kur janë ënjtur nga dhimbjet, por edhe për shërbime estetike.
Kush janë më të kujdesshëm për shëndetin e gojës, djemtë apo vajzat?
Për shërbimet bazë të nevojshme, kujdesi është i njëjtë si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt. Ndryshimin e bën dentistria estetike, ku femrat sigurisht janë më kërkuese, më të kujdesshme.
Nëse kërkon emrin tuaj në motorin e kërkimit Google, nuk ka thuajse asnjë promovim për emrin tuaj, edhe pse në klinikën tuaj vijnë pacientë shumë specialë? Mund të themi që një mjek i mirë s’ka nevojë për publicitet?
Pacientët nga Hollywood na kontaktojnë në sajë të miqve tanë të mirë që kanë mbetur të kënaqur nga shërbimi. Kjo është shumë e rëndësishme për funksionimin e klinikave dentare (dhe të çdo biznesi tjetër, pa diskutim). Gjithmonë punojmë duke synuar që çdo pacient të mbetet i kënaqur, që të mund ta shpërndajë eksperiencën e vet. Kjo është reklama më e mirë për ne, është përmendur shpesh, thuhet me shaka që shqiptarët që jetojnë jashtë, vijnë në Shqipëri vetëm për të rregulluar dhëmbët. Dhe kjo, jo vetëm për çmimin e lirë. Se shëndeti i gojës është kaq shumë thelbësor sa çmimi nuk është fare element për t’u diskutuar. Vijnë sepse vërtet ka mjekë, dentistë që punojnë mirë, punojnë pastër dhe me shumë përkushtim. Nga nami i mirë (qesh) që kanë dentistët në Shqipëri dhe nga përshtypjet e klientëve të mi, kam arritur të tërheq vëmendjen e njerëzve të njohur në Shqipëri e më gjerë. Randall Paul, besoj se i referoheni atij kur flisni për miq të Hollywood, është miku dhe pacienti im. Madje këto ditë po punoj me të.
Si është një ditë e juaja?
Zgjohem në orën 6:30, bëhem gati. Dërgoj Lukun në shkollë, pi kafenë e mëngjesit, filloj punën në orën 8:00 dhe përfundoj në 20:00. Dita nis me punë e përfundon me punë.
Zakonisht mbani asistent, persona të tjerë që ju ndihmojnë, apo arrini të vini rregull vetë mbi përditshmërinë tuaj?
Në shumicën e rasteve mund t’ia dalësh dhe pa ndihmë. Por, për efiçiencë dhe përqendrim maksimal, është e nevojshme prania e asistentit. Prandaj kam zgjedhur të kem asistent. Asistentja është vajzë, sepse kryesisht janë më të kujdesshme dhe sikur të lehtësojnë më tepër me radhën e gjërave.
Kemi dëgjuar se në një moment të caktuar të vitit ktheheni në vendlindjen tuaj për të ofruar shërbimet tuaja, falas. Pse e bëni? Cila është kënaqësia që merrni nga kjo punë?
Mendoj se jashtë Tiranës shërbimi i mirë stomatologjik nuk është lehtësisht i aksesueshëm për të gjithë, dhe ku më mirë se të ndihmosh në vendlindje. Të rikthehesh me mundësinë për të ndihmuar të jep vërtet një ndjesi të veçantë. Bëj depisitime sepse nuk kam mundësi të punoj atje, nuk i kam mjetet. E bëj nga kënaqësia ime, pa asnjë lloj përfitimi. Prindërit e mi vazhdojnë të jetojnë atje, kështu që kam arsye të shumëfishta për t’u kthyer.
Në konferencat dhe organizimet tuaja, në një vlerësim kështu spontan: Stomatologjia zgjidhet më shumë nga meshkujt apo nga femrat? Pra, është treg i zgjedhur më tepër nga vajzat apo nga meshkujt?
Stomatologjia zgjidhet më shumë nga vajzat. Është një mendim subjektiv, mbase. Se nuk di të flas për statistika të sakta. Ose, mbase vajzat janë më shumë të prirura të ndjekin të gjitha konferencat dhe aktivitetet që bëhen (qesh).
Klinikat dentare janë kthyer në burim infeksionesh, çfarë e dallon një klinikë të mirë nga një klinikë jo të mirë (pa u futur në detaje “teknike”)?
Kjo i takon kohëve të vjetra, ku mjekët nuk kishin as autoklav. Mjekësia moderne nuk të lejon të bësh gabime fatale, siç janë transmetimi i infeksioneve virale. Nga eksperienca personale, mund të them që s’ndodh nëse mjeku edhe stafi janë të kujdesshëm në detyrën që ju caktohet. Për këtë arsye në kliniken time zbatojmë protokolle, kam staf të përkushtuar që përkujdeset për pastrimin, autoklavimin, konfeksionimin e instrumenteve, madje disa instrumente ruhen me emër edhe mbiemër të pacientit deri në përfundim të trajtimit./ Shendeti.com.al